Sa kem prona jashtë?

Kthimi i pronave nga ish- Jugosllavia deri tani ka mbetur vetëm në letër. Institucionet e Kosovës ende nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim, përveç që kanë formuar një komision. Themelimin e këtij komisioni e kanë bërë Ministria e Punëve të Jashtme (MPJ) dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP). Këto dy institucione janë bërë bashkë në këtë komision për t’i identifikuar pronat e ndërmarrjeve shoqërore që gjenden tash në shtetet e dala nga shthurja e ish-Jugosllavisë.

Sipas AKP-së, janë gjithsej 55 Ndërmarrje Shoqërore që kanë më tepër se 155 asete në republikat e ish-Jugosllavisë.
Kurse, në bazë të një dokumenti që e ka siguruar gazeta Lajm, në republikat e ish-Jugosllavisë gjenden 172 prona të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës. Sipas kësaj liste, më se shumti prona të ndërmarrjeve kosovare ka në Serbi, ku janë gjithsej 104, pastaj në Mal të Zi 42, në Bosnjë e Hercegovinë 15, në Kroaci 6, në Maqedoni 4 dhe në Slloveni 1.
Artan Behrami, zëdhënës në Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ), tha se Institucionet e Republikës së Kosovës kanë filluar përgatitjet për të kërkuar kthimin e pronave që i takojnë në bazë të legjislacionit, por edhe praktikave demokratike. “Institucionet kompetente në Kosovë kanë bërë identifikimin e shumicës së pronave dhe ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës, si dhe jemi në proces të identifikimit të pronave të tjera eventuale të Kosovës në ish-republikat jugosllave”, ka thënë Behrami.
Të njëjtën gjë e kanë thënë edhe zyrtarë të Agjencisë Kosovare të Privatizimit. “Sipas të dhënave që ekzistojnë në Agjencinë Kosovare të Privatizimit janë 55 Ndërmarrje Shoqërore që kanë më tepër se 155 asete në republikat e ish- Jugosllavisë”, tha Ylli Kaloshi, zyrtar i lartë për marrëdhënie me publikun dhe media në AKP.