Kërkohet fuqizim i mbikëqyrjes së AKI-së

Në organizimin e Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) dhe Qendra e Gjenevës për Kontroll Demokratik të Forcave të Armatosura (DCAF) dhe në bashkëpunim me Komisionin Parlamentar për Mbikëqyrje të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), në Prishtinë është mbajtur tryeza “Nxitja e mbikëqyrjes së inteligjencës në Kosovë: ndërmjet transparencës dhe sekretit”.

Drejtori ekzekutiv i QKSS, Florian Qehaja, ka prezantuar të gjeturat e raportit analitik “Qeverisja e AKI-së” si pjesë e projektit të DCAF-it për Fuqizimin e Mbikëqyrjes së Inteligjencës në Ballkanin Perëndimor. Ai ka thënë se me gjithë konsolidimin e vazhdueshëm të AKI-së, hulumtimi ka theksuar kryesisht mungesën e transparencës si dhe rëndësinë dhe rrolin e bashkëpunimit mes trekëndëshit Kuvend, AKI dhe Shoqëri Civile.
Kryetari i Komisionit parlamentar për Mbikëqyrjen e AKI-së, Florin Krasniqi, ka theksuar se Kosova ka humbur mjaft nga mungesa e debatit profesional në drejtim të fuqizimit të mbikëqyrjes së inteligjencës, duke u fokusuar shumë në çështjet e politikës ditore.
Përkundër bashkëpunimit të mirë mes AKI-së dhe Komisionit Parlamentar, sipas Krasniqit, AKI duhet të mbetet një institucion kombëtar pa “partizime” dhe politizim të brendshëm, si rrezik potencial që i kanoset këtij institucioni.
Kryeinspektori i AKI-së, Agron Selimaj, ka theksuar se AKI është e hapur për bashkëpunim brenda mandatit dhe kufizimeve që i ka, kurse ka kundërshtuar në parim nevojën për të pasur transparencë më të madhe. Sipas tij, kufiri rreth transparencës dhe sekretit është edhe çështje perceptimi, prandaj ky debat do të ekzistoj edhe në të ardhmen.
Selimaj ka përgëzuar fillimin e një debati të vlefshëm nga QKSS dhe ka inkurajuar ngritjen e rrolit të shoqërisë civile në këtë drejtim.
Në tryezë kanë marrë pjesë edhe ekspertë ndërkombëtarë, Agnes Vadai – ish zv.ministre e Mbrojtjes e Hungarisë dhe ish- shefe e Komisionit për Siguri Nacionale në Kuvendin Nacional të Hungarisë, aktualisht deputete në Kuvendin Nacional të Hungarisë, Aidan Wills - ekspert nga DCAF, Dyfian Jones - ekspert i mbikëqyrjes parlamentare nga Mbretëria e Bashkuar si dhe Arjan Durmishi nga Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim në Tiranë.