Thaçi: Kosova, atdhe i të gjithë qytetarëve të saj

Gjendja e minoriteteve në Kosovë, me fokus të veçantë në kthimin e të zhvendosurve, ishte temë e bisedës në takimin e sotëm të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi me komisionarin e lartë të OSBE-së për minoritetet, Knut Vollebaek.

Kreu i ekzekutivit të Kosovës, Hashim Thaçi theksoi se përkushtimi i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe rezultatet e arritura dëshmojnë më së miri se Republika e Kosovës është bërë model në rajon për respektimin e të drejtave të njeriut, duke integruar në mënyrën më afirmative të mundshme komunitetet në institucionet dhe shoqërinë kosovare.
Në takim me Komisionarin e lartë të OSBE-së, kryeministri Thaçi, duke folur për minoritete, tha se Qeveria e Kosovës po punon vazhdimisht në inkurajimin e të gjithë të zhvendosurve për t’u kthyer në shtëpitë dhe pronat e tyre.
“Qeveria është e gatshme që edhe më tej të bashkëpunojë ngushtë me OSBE-në dhe mekanizmat tjerë ndërkombëtarë, për të përmirësuar pozitën e pakicave”, citohet të ketë thënë Thaçi, në njoftimin e lëshuar nga zyra e Kryeministrit.
Kryeministri bëri thirrje sërish tek Serbia që të heq presionin nga serbët e Kosovës dhe të kërkojë nga ta integrimin në institucionet e Kosovës.
“Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj, me mundësi të barabarta dhe afirmative për komunitetet”, theksoi Thaçi.
Komisionari i lartë për minoritete në OSBE, Knut Vollebaek shprehu bindjen që Qeveria e Republikës së Kosovës edhe më tej do të angazhohet për integrimin e minoriteteve në shoqërinë kosovare, si e vetmja rrugë e prosperitete të Kosovës.