Situata aktuale politike në Kosovë, përkushtimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për çuarjen përpara të reformave në politikë, ekonomi dhe legjislacion ishin disa nga temat për të cilat u bisedua në takimin e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi me Stephen O’Brian, nënsekretar i shtetit në DFID për çështje evropiane.
Kryeministri Thaçi vlerësoi lartë mbështetjen që ka dhënë DFID-i që nga periudha e pasluftës, duke theksuar se kjo mbështetje ishte kruciale në mënyrë të veçantë për ngritjen e kapaciteteve të institucioneve të Kosovës, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit.
Siç thuhet në njoftim, kryeministri Thaçi ka prezantuar vendosmërinë e Qeverisë së Kosovës për përmbushjen e plotë të agjendës evropiane të integrimit.
Ndërsa , O’Brian tha se ka mbetur i impresionuar nga përkushtimi që ka parë në Kosovë, si dhe i përpjekjeve që po bënë Qeveria e Republikës së Kosovës që të reformojë vendin dhe të hyjë në mesin e vendeve përparimtare të Evropës, thuhet në kumtesë.
Ai siguroi kryeministrin Thaçi se Britania e Madhe do të vazhdoj të jetë një partner i fuqishëm për Kosovën edhe në të ardhmen, duke e ndihmuar që të jetë një shtet i përkushtuar për qytetarët e saj.