Kushtetuesja pret “emisarët” e PDK-së e të LDK-së

Një frikë e kishte shprehur Enver Hasani muajin e shkuar, tek fliste rreth procesit të zëvendësimit të dy gjyqtarëve të Kushtetueses - politizimin procesit, e për pasojë edhe zvarritjen e tij. Shtyrja e parë ka ndodhur të premten.

Komisioni i posaçëm për shqyrtimin e nominimeve të kandidatëve për emërimin e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese ka vendosur të përsërisë ftesën publike për paraqitje të propozimeve për gjyqtarë. Nuk është dhënë një arsyetim.
Një burim i Kohës Ditore, i afërt me procesin, ka thënë se dy partitë më të mëdha, PDK-ja e LDK-ja, janë marrë vesh që t’i bashkojnë votat në Kuvend kur të vijë koha e votimit të të nominuarve. Marrëveshja, sipas tij, parasheh që secili subjekt ta çojë në Kushtetuese nga një.
“Komisioni është dashur ta përsëriste ftesën publike, sepse nga të propozuarit e deritashëm nuk është një që mund të ketë mbështetjen e LDK-së. Njeriu i PDK-së ka qenë i propozuar në konkurrimin paraprak”, ka thënë ky burim.