Sipas statistikave të Policisë së Kosovës, vetëm gjatë dy muajve të parë të këtij viti janë arrestuar 38 persona të cilët dyshohen për marrje me prostitucion.
Ramadan Ahmeti, shef i njësisë Qendrore të hetimeve në Drejtorinë për trafikim të qenieve njerëzore, thotë se pjesa më e madhe e femrave prostituta zakonisht janë nga shtresat më të vobekta të shoqërisë.
“Shumica nuk kanë shtëpi, ose kanë qëndrim të përkohshëm dhe tretman të refugjates”, thotë Ahmeti për Kosovapress, sipas të cilit viteve të fundit është shtuar numri i viktimave më nënshtetësi kosovare.
Sociologu Fadil Maloku thotë se trafikimi dhe prostitucioni i femrave në Kosovë është pasojë e gjendjes së rëndë socio-ekonomike në vend.
Sipas tij, në vend mungon edhe një edukim dhe informim i duhur rreth rreziqeve nga prostitucioni, gjë që u mundëson grupeve të “trafikantëve të hyjnë nëpër ambiente shkollore e të mashtrojnë femrat duke u bërë oferta të rrejshme - qoftë për fejesë apo për punësim”.
Ahmeti thotë se hetuesit nuk kanë hasur në ndonjë rast kur grupe kriminale kanë rekrutuar vajza të shkollave të mesme.
“Informacione ka, mirëpo nuk janë krijuar si raste”, thotë ai.