Derisa subjekte e individë të ndryshëm po zyrtarizojnë kandidaturat e tyre për president të Serbisë, subjektet politike shqiptare në Luginë të Preshevës nuk e kanë ndërmend të ftojnë elektoratin e tyre për të votuar për presidentin e ardhshëm të Serbisë, në zgjedhjet që mbahen me 6 maj.
“Partitë shqiptare nga Presheva dhe Bujanoci me gjasë nuk do të mbështesin asnjë kandidat në zgjedhjet për kryetarë të Serbisë”, deklaroi sot kryetari i Bashkimit Demokratik të shqiptarëve (BDSH) Rahmi Zulfiu, për agjencinë serbe Beta.
“Partitë shqiptare në zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të marrin pjesë si Koalicion i shqiptarëve të Luginës së Preshevë”, ka thënë Zulfiu, duke potencuar se në nivelin e koalicionit ende nuk është marr zyrtarisht vendimi lidhur me këtë,por me gjasë do të mbetet gjendja çfarë ka qenë viteve te kaluara-një pjesë e partive shqiptare nuk mbështesin asnjë kandidatë për kryetarë të Serbisë.
Ai shtoi se pret se shumica e shqiptarëve votues nuk do të dalin në zgjedhjet presidenciale.