Ndryshimet në draftligjin për zgjedhjet kanë ngecur. Shkak për këtë janë bërë partitë politike të cilat nuk po bien dakord për listat zgjedhore, numrin e zonave si dhe pragun zgjedhor. Po ashtu për zvarritjen e punëve ka ndikuar edhe mospërcaktimi i mbajtjes së datës së zgjedhjeve presidenciale.
Draftligji i ri për zgjedhjet është dashur që brenda një afati të shkurtër kohor të përfundojë, mirëpo burime të gazetës “Tribuna Shqiptare” brenda Komisionit për Reformën Zgjedhore, bëjnë të ditur se ngecjet në këto ndryshime po ndodhin për shkak të “kokëfortësisë” së liderëve të partive politike për t’u takuar, në mënyrë që të vendosët rreth ndryshimeve në reformën zgjedhore.
“Ende nuk dihet se kur do të ndodhë takimi i liderëve të partive politike, ku do të vendosej për ndryshimet të cilat janë me të ndjeshme. Po ashtu edhe mos caktimi i zgjedhjeve presidenciale ka ndikuar për vonesat që po bëhen rreth këtij procesi”, i ka thënë ky burim gazetës.