BE-ja gabon nëse e pranon Serbinë

Bashkimi Evropian do të bënte gabim në qoftë se do ta pranonte Serbinë në gjirin e vet pa e ndryshuar qëndrimin ndaj Kosovës. Kështu tha zëvendëskryetari i komunës Linz të Austrisë, Klaus Luger, i cili me bashkëpunëtorë ka vizituar Mitrovicën.

Gjatë takimit me delegacionin e Linz-it, kryetari i Mitrovicës, Avni Kastrati i njoftoi mysafirët me historikun e qytetit, duke theksuar se Mitrovica ishte dikur njëra ndër komunat më të zhvilluara në vend, por që më nuk është i tillë, pasi që forcat serbe gjatë luftës së fundit shkatërruan tërë industrinë dhe metalurgjinë e saj, si dhe shkaktuan dëme jashtëzakonisht të mëdha në të gjitha fushat.
Në fokus të fjalës së tij, kryetari Kastrati kishte gjendjen aktuale të rëndë ekonomike-sociale, duke theksuar se numri i të papunëve është shumë i madh dhe se pasojat e luftës ende nuk janë tejkaluar. Ai me këtë rast tha se në komunë janë ende të pa rindërtuara edhe 280 shtëpi të pronarëve shqiptarë që ekstremistët serbë i kishin shkatërruar gjatë luftës.
Lidhur me situatën aktuale të sigurisë në komunë, ai ju tha mysafirëve se ka përmirësime, por ende ka mjaft probleme të theksuara, sidomos sa i përket qarkullimit të lirë, që po i shkaktojnë ekstremistët serbë, madje duke mbajtur me muaj të tërë barrikada në rrugët kryesore.
Zëvendëskryetari i komunës së Linzit, Luger, tha se Austria është e angazhuar që të ndihmoj Kosovën në fusha të ndryshme. Sa i përket Mitrovicës, ai tha se ajo është e prezantuar mjaftë në media për shkak të zhvillimeve që ndodhin këtu dhe është mirë që austriakët e kanë kuptuar se këtu nuk bëhet fjalë për konflikt ndëretnik, por që këto probleme i shkaktojnë struktura tjera nga jashtë Kosova.
Luger u interesua të mësojë nga kryetari Kastrati se cilat janë mjetet politike që mund të ndërmerren për integrimin e serbëve në realitetin e ri dhe për bashkimin eventual të qytetit.
“Kjo është një punë e mundimshme, pasi që serbët nuk duan t’i shfrytëzojnë të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutën e Kosovës, e të cilat janë të mëdha. Serbët që jetojnë në pjesën veriore të qytetit janë të diskriminuar pozitivisht nga institucionet e Kosovës”, tha Kastrati.
Rol negativ në këtë drejtim, tha Kastrati, janë duke luajtur struktura paralele joligjore serbe të instaluara nga Serbia, të cilat nuk i lejojnë qytetarët serbë që integrohen.
Mysafirët nga Austria premtuan se do të bashkëpunojnë në fusha të ndryshme e sidomos në atë të arsimit. Ata gjithashtu thanë se BE-ja do të bënte gabim në qoftë se do ta pranonte Serbinë në gjirin e vet pa e ndryshuar qëndrimin ndaj Kosovës.