Kosova ka nisur të plaket

Kosova përbën popullatë të re në moshë. Vetëm 7 për qind e popullatës i takon moshës mbi 65-vjeçare. Ndërkaq, nataliteti në Kosovë është në rënie, çka do të thotë se popullata po shkon drejt plakjes graduale.

 Dita Botërore e Shëndetit Kosovën e gjen në situatë jo të mirë, thonë profesionistët shëndetësorë. Ndërsa, Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, deklaron se gjendja shëndetësore e popullatës në Kosovë “nga viti në vit është duke u përmirësuar”.
Slogani i kësaj dite është “Shëndeti i mirë ju shton jetë viteve”. Sami Uka, nga OBSH, thotë se askush në Kosovë nuk është i kënaqur me shërbimet që ofrohen nga institucionet.
“Nuk është intenca të zgjatet jeta, por të ngrihet cilësia e atyre viteve të jetës”, thotë ai për Radio Evropa e Lirë. “Vuajmë nga mungesa e organizimit, menaxhimit të shërbimeve shëndetësore, mungesa e sigurimeve shëndetësore - që vështirëson pozitën ekonomike dhe shëndetësore të popullatës në përgjithësi, e në veçanti të popullatës së moshuar me pensione shumë të ulëta”.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka bërë një hulumtim, lidhur me këtë ditë, që të dihet se si qëndron Kosova në aspektin shëndetësor.
“Nga hulumtimi me mbi 1860 respodentë, ka dalë se gjendja e tyre shëndetësore është e vështirë dhe se jetojnë në kushte të dobëta financiare... Këto nevojitet të dalin si rekomandime nga ky hulumtim: përmirësimi i gjendjes së tyre, sidomos gjendja financiare, si dhe qasja dhe sigurimi i të gjitha barnave për këtë kategori”, bën të Naser Ramadani, drejtor i IKSHP-së.
Agani thotë se në bashkëpunim me autoritetet ndërkombëtare, kanë arritur rezultate në përmirësimin e sistemit shëndetësor. Ndërsa, për Ramadanin shëndetësia nuk është prioritet i Qeverisë, andaj edhe “Dita Botërore e Shëndetit nuk e gjen Kosovën në nivel të kënaqshëm”.
Zyrtarët nga IKSHP thonë se me hulumtimin e bërë kushtuar Ditës Botërore të Shëndetit, kanë dashur të japin sinjal që popullata po shkon drejt plakjes graduale dhe rënies së natalitetit.