Zyrtarët shtetërorë dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të shtunën, kanë shprehur kundërshtime të shumta teksa kanë paraqitur vizionet e tyre për procesin e integrimit evropian të Kosovës, para pjesëmarrësve të konferencës rajonale të Forumit Alpbach mbi të ardhmen e vendeve të Evropës Juglindore. Përderisa përfaqësuesit e institucioneve vendore kanë insistuar se dialogu me Beogradin është pjesë e rëndësishme e rrugës evropiane të Kosovës, aktivistët e shoqërisë civile kanë insistuar se ky proces duhet të bazohet në aplikimin e reformave që kanë ndikim në përmirësimin e jetesës së qytetarëve.
Zëvendës ministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi ka pranuar se në shoqërinë kosovare mungon emëruesi i përbashkët për rrugën që duhet të ndjek Kosova drejt integrimit në BE dhe ka paraqitur qëndrimin se dialogu, në këtë rast me Serbinë, është njëri prej elementeve kyçe në këtë drejtim.
“Dialogu është pjesë fondamentale e rrugës së Kosovës për në BE”, ka thënë Selimi, edhe pse ka sqaruar se me këtë vizion nuk janë pajtuar as opozita e as pjesa më e madhe e shoqërisë civile. Ai ka shtuar se nuk është hequr dorë nga dialogu me Beogradin, pavarësisht nga çmimi, ngase është mjet për ndërtimin dhe avancimin e marrëdhënieve ndërshtetërore, transmeton Koha.net.
Me këto konstatime nuk është pajtuar Haki Abazi nga “Rockfeller Brothers Fund”, i cili ka shprehur mendimin se “integrimi evropian nuk mund të paraqitet si qëllim i fundit, por duhet të përmbushet me përmbajtje që paraqet reforma të thella në sektorë të ndryshëm, që duhet të rezultojnë me përmirësimin e jetesës së secilit qytetar”.
Ai ka përkujtuar se në dy-tre muajt e fundit dialogu Prishtinë-Beograd është prezantuar si forma më e mirë për ecjen përpara, por që megjithatë është parë se “ka qenë vetëm një vendnumërim”.
“Masat e marra sidomos nga ana e Qeverisë së Serbisë kanë rrezikuar edhe më tutje lirinë e lëvizjes së qytetarëve të Kosovës, por në të njëjtën kohë edhe arrestimet që ka bë Qeveria e Kosovës, të paargumentuara mirë, ka bërë që ajo të përdoret për kozmetikë dhe për bujë mediale dhe jo për një funksionalitet të ligjit dhe rendit në Kosovë”, është shprehur Abazi.
Në anën tjetër përmes një letre drejtuar pjesëmarrësve të konferencës rajonale të Forumit Alpbach, raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovën, Ulrike Lunacek ka shprehur bindjen se përkushtimi i Brukelit në lidhje me perspektivën evropiane të Kosovës është i qartë, pa asnjë dykuptimësi dhe sfida e mos njohjes nga pesë vendet e BE-së, duhet të përmbyllet së shpejti me njohjen e shtetësisë së saj.
Ajo ka shkruar se viti 2012 është viti i mundësive për Kosovën, i cili duhet që ti shërbej edhe pesë shteteve hezituese që të heqin dorë nga qëndrimi “neutral ndaj statusit.”
“Bashkëpunimi në vend të konfrontimit është parimi kryesor mbi të cilën është ndërtuar Bashkimi Evropian dhe jam e bindur se jetësimi i tij i përpiktë do të mundësoj edhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në gjirin e familjes evropiane”, ka thënë Lunacek.
Mirëpo sipas saj duhen liderë të guximshëm si në Serbi e Kosovë por edhe brenda BE-së që ta aplikojnë këtë parim në praktikë.
“Na duhen liderë të guximshëm në Serbi dhe Kosovë, por edhe në BE veçanërisht në mesin e pesë shteteve hezituese, të cilat duhet ti japin fund tregimit të pikëllueshëm të mosnjohjes së Kosovës, e cila i mban qytetarët e Kosovës pezull dhe krijon më shumë pakënaqësi sesa problemet aktuale ekonomike apo sociale”, ka theksuar Lunacek.
Konferenca rajonale e Forumit Alpbach mbi të ardhmen e vendeve të Evropës Juglindore është hapur, të premten, në Prizren, me vlerësime dekurajuese për situatën aktuale rreth procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian me shtetet ballkanike.
Çështjet e brendshme të komunitetit evropian që kanë kulmuar me krizën ekonomike sipas panelistëve kanë ngadalësuar dinamikën dhe dëshirën për shtim të numrit të vendeve anëtare, përderisa Kosova vazhdon të mbetet në kërkim të zyrtarizimit të marrëdhënieve kontraktuare me BE-në.
Çështjet e brendshme të komunitetit evropian që kanë kulmuar me krizën ekonomike sipas panelistëve kanë ngadalësuar dinamikën dhe dëshirën për shtim të numrit të vendeve anëtare, përderisa Kosova vazhdon të mbetet në kërkim të zyrtarizimit të marrëdhënieve kontraktuare me BE-në.