“Me mbi 100 mijë banorë, Ferizaj është komuna e tretë më e populluar në Kosovë. Me njerëzit e kësaj komune, me potencialin e ekonomisë tonë dhe me pasuritë që na ka falur natyra, Ferizaj i ka të gjitha mundësitë që të jetë një komunë ku lulëzon mirëqenia”, tha të hënën kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Ferizajt, Faton Topalli, në tubimin e hapjes së fushatës elektorale.
Ai tha se në vend të zhvillimit, në Ferizaj ka ndodhur e kundërta për shkak të pushtetit të mbrapsht të të gjitha partive që e kanë qeverisur dhe vazhdojnë ta qeverisin komunën. “Ata nuk kanë punuar kurrë që t’i japin Ferizajt peshën, rëndësinë dhe mirëqenien që i takon. Ne kemi mbetur një komunë e varfër, me mijëra njerëz të papunë; një komunë e rrënuar nga hajnia dhe korrupsioni. Degradimi tashmë ka depërtuar në çdo sektor publik, dhe ka arritur deri aty sa t’u grabisë njerëzve edhe shpresën. Kjo gjendje nuk mund të tolerohet më. Bashkë, së pari duhet t’i njohim dhe t’i themi me zë të lartë të gjitha të vërtetat e dhimbshme të pushtetit të pasluftës në Ferizaj”.
Topalli tha se në Ferizaj, për çdo tre njerëz të aftë për punë, vetëm njëri punon. “Shumë familje të qytetarëve kanë mbetur pa të ardhura, ndërsa familjet e pushtetarëve kanë marrë për vete secilën mundësi. Varfëria e ka lënë fshatin të pazhvilluar, dhe qytetin të paurbanizuar. Varfëria e ka bërë të pamundshëm dinjitetin e pensionistit, dhe e ka rrezikuar të ardhmen e gjithë brezit të ri. Të rinjtë tanë ndodhen para dy mundësive, ose të largohen ose të punësohen në vende pune ku shfrytëzohen”.
“Varfëria dhe papunësia janë plagë të rënda që nuk i kemi marrë rastësisht. Ato janë pasojat e një mendësie të sëmurë që ka mbizotëruar te krejt partitë e tjera politike. I kemi parë pushtetarët që pasurohen në kurriz të një populli që varfërohet. Ata blejnë xhipa të shtrenjtë, ndërtojnë vila e pallate për familjet e tyre; dhe shtrohet pyetja si i arrijnë këto të mira materiale? I arrijnë me ato para që dalin prej kontributeve tona, para që do të duhej t’i përdornin për të ndërtuar shkolla, spitale e fabrika. Ky lloj pushteti e dobëson shtetin. Ky lloj pushteti forcon korrupsionin. Dhe korrupsioni sjell krimin”, tha ndër të tjera Topalli duke u bërë thirrje qytetarëve të Ferizajt të votojnë Vetëvendosjen.