Popullata turke natyrshëm dhe në harmoni me interesat e veta dhe të shumicës së qytetarëve të Kosovës, ishte pjesë e proceseve historike që çuan drejt lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, ka thënë të hënën kryeministri Hashim Thaçi, në Ditën Memoriale të turqve të Kosovës.
“Në të gjitha periudhat historike të Kosovës moderne komuniteti turk luajti rol pozitiv, duke ruajtur dhe kultivuar harmoninë, miqësinë, tolerancën dhe respektin me komunitetet tjera dhe popullatën shumicë të Kosovës”, tha kryeministri në ceremoninë e organizuar për këtë datë.
“Komuniteti turk dha kontribut në të gjitha fazat e tranzicionit, duke qenë pjesëmarrës aktiv në institucionet e pushtetit lokal, aty ku ishte më i madh në numër, por edhe në nivel të pushtetit qendror, duke dhënë kontribut në Kuvendin, në Qeveri dhe segmente tjera të shoqërisë sonë”.
“Përfaqësuesit e komunitetit turk janë pjesë e procesit të shpalljes së Kosovës shtet i pavarur dhe sovran më 17 shkurt 2008. Komuniteti turk në Kosovë është shembull më i mirë i integrimit të tërësishëm në jetën institucionale të vendit tonë. Përfaqësues të komunitetit janë kudo: në radhët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, në Policinë e Kosovës, në Gjykatën Kushtetuese, në Universitet dhe institucione tjera”.
“Në Ditën e Komunitetit Turk të Kosovës, rikonfirmojmë qëndrimin e Qeverisës së Kosovës për thellimin e klimës politike dhe njerëzore që komunitetet e Kosovës të jenë autorë dhe aktorë të barabartë në realizimin e lirisë dhe të drejtave të tyre”, tha ndër të tjera kryeministri Thaçi.