Pas heqjes dorë nga organizimi i zgjedhjeve lokale, askush në Serbi nuk mund të shpjegojë se kush dhe si do t’i organizojë zgjedhjet presidenciale dhe ato parlamentare serbe në Kosovë, për ata qytetarë që kanë dyshtetësi.
Kryetari i Komisionit zgjedhor republikan, Veljko Odalovic, ka thënë për Radion Evropa e Lirë në gjuhën serbe, se nuk mund të thotë asgjë lidhur me këtë çështje. Edhe pse kanë mbetur dy javë deri në ditën e zgjedhjeve, ai ka thënë se kjo është duhet drejtuar ‘Ministrisë për Kosovën’ në Qeverinë e Serbisë.
I ashtuquajturi sekretar shtetërorë në të ashtuquajturën Ministri për Kosovën, Oliver Ivanovic, është shprehur i habitur me përgjigjen e Komisionit zgjedhor. Ai ka thënë se është detyrë e këtij komisioni ta bëj hapjen e qendrave të votimit edhe në territorin e Kosovës.
Pak më i qartë rreth kësaj teme ka qenë i ashtuquajturi ministri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanovic, i cili për këtë paqartësi ka fajësuar Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian, OSBE. Ai ka thënë se Serbia është e gatshme ta pranojë ndihmën e OSBE-së, por assesi ta lejojë atë që t’i organizojë zgjedhjet serbe në Kosovë.
“Jemi të gatshëm të zvogëlojmë numrin e qendrave të votimit; jemi të gatshëm që zgjedhjet të mos i mbajmë në objektet, që sic thonë shqiptarët, shfrytëzohen nga strukturat paralele; jemi të gatshëm të mos vendosim simbole në jug të Ibrit, e që do t’i irritonin shqiptarët, por nuk jemi të gatshëm që këto zgjedhje t’i organizojë OSBE-ja”, ka thënë Bogdanovic.
Autoritetet kosovarë kanë paralajmëruar Serbinë se do të pengojnë me forcë mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe. Beogradi publikisht ka hequr dorë nga këto palë zgjedhje, por strukturat paralele të Serbisë, vazhdojnë të pohojnë se do të mbahen edhe zgjedhjet lokale. Por sipas autoriteteve kosovare, në Kosovë nuk do të organizohen asnjë palë zgjedhje, ndërsa serbët që kanë dyshtetësi, mund të votojnë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare përmes postës.