Komandanti i KFOR-it, Erhard Drews, vlerëson se situata në veriun e Kosovës është tensionuar në prag të zgjedhjeve të Serbisë, ndërsa ka porositur të gjitha palët që ta ruajnë qetësinë.
Shefi i Trupave paqeruajtëse të NATO-së në Kosovë, gjenerali Drews, vlerësoi se situata në veri të vendit mbetet e tensionuar, ndërsa trupat e KFOR-it po e kryejnë punën e vet për t’i ofruar siguri popullatës në këtë pjesë të territorit të Kosovës.
“Kam ardhur këtu që t’i vizitoj ushtarët e KFOR-it që janë të vendosur te lagjja ‘Tre rrokaqiejt’. Pas shpërthimeve gjendja është qetësuar dhe u jam shumë mirënjohës ushtarëve të mi që me prezencën e tyre kanë krijuar një mjedis të sigurt. Do të ketë ushtarë aq sa unë e shoh të nevojshme. Nuk do të kisha thënë që pas ngjarjeve të fundit gjendja është përkeqësuar, por ne duhet të theksojmë se gjendja vërtetë është e tensionuar dhe secili për vete është pak sa i nevrikosur dhe secili qytetar po tensionohet më shumë aq sa po afrohen zgjedhjet serbe”, tha gjenerali Erhard Drews, për RTV21.
Gjenerali i KFOR-it, Erhard Drews kërkoi nga Qeveria e Kosovës që të jetë e përmbajtur dhe të mos ndërmarrë ndonjë aksion si ai i 25 korrikut të vitit të kaluar, duke marrë parasysh pasojat e këtij operacioni.
“Ne të gjithë i dimë pasojat e 25 korrikut të vitit të kaluar dhe nuk besoj që njëri prej nesh e dëshiron një rezultat të tillë. Dhe, unë kam besim të madh në maturinë e qeverisë së Kosovës dhe besoj që me këtë maturi duhet të veprojmë”, shton Drews. “Pra, unë kam besim të plotë në qeveri. Ata në mënyrë të pjekur duhet t’i shfrytëzojnë mundësitë për të parandaluar zgjedhjet e Serbisë në pjesën veriore dhe natyrisht të sillen në mënyrë të duhur dhe në koordinim me faktorin ndërkombëtarë”, ka shtuar ai.
Këto komente komandanti i KFOR-it i ka bërë pas vizitës në veriun e vendit, me ç’rast u takua edhe me serbët të cilët po qëndrojnë në tendat pranë barrikadës tek ura e Ibrit.