Në seancën e Kuvendit të Kosovës për gjendjen në veri, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe shefi i Grupit parlamentar të AAK-së, Ardian Gjini kanë pasur një debat të ashpër.
E plotësuar: Pas deklaratave të Kuçit se Qeveria është kujdesshme për të mos i frikësuar qytetarët në veri, Gjini iu drejtua Kuçit, duke thënë se mos “ke probleme me amnezi”, pas sipas tij ditë më parë ka folur edhe për mundësinë e intervenimit në veri, ndërsa tash për kujdes që të mos i frikësojnë qytetarët atje.
Pas kësaj, ishte reagimi i Kuçit i cili theksoi “di edhe unë të flas si në rrugë po nuk ma lejon kultura”.
Kuçi u shpreh se memorien e ka të zhvilluar shumë mirë, por tha se nuk do ta përdorin logjikën e frikësimit të qytetarëve, por të shkelësve të ligjit.
Duke folur për veriun, Kuçi iu drejtuar Gjinit “Pse se kryjshi çështjen e veriut sa ishit në pushtet...”.
Kuçi në këtë seancë duke folur për veprimet atje, tha se nuk janë institucionet e Kosovës që i dhënë urdhër EULEX-it e KFOR-it, por kanë bashkëpunim me këto institucione.
Ai deklaroi se çelësi i problemit është në Beograd.
E plotësuar: Partitë opozitare në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për veriun theksuan se gjendja atje është më e keqe se disa vite më parë, ndërsa theksuan se shpëtimi i vetëm i vendit është dorëheqja e kësaj qeverie që sipas tyre ka përkeqësuar çdo çështje.
Shefi i Grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri theksoi se gjendja në veri të Mitrovicës është e rëndë. Ai deklaroi se atje vazhdon të mos funksionojnë institucionet e shtetit, ndërsa qytetarët po terrorizohen dhe kjo sipas tij ka një adresë, Beogradin që është financues.
Ai kërkoi disa veprime urgjente, si funksionimin e gjykatave, mbrojtjen e jetës së qytetarëve dhe qarkullimin e lirë në veri, presion për lirimin e shqiptarëve të arrestuar në Serbi, të nxirren para ligjit bashkëpunëtorët ekomomik me kriminelët e veriut, EULEX-i e KFOR-i t’i ushtrojnë detyrat sipas mandatit, etj.
Edhe Visar Ymeri, shef i Grupit parlamentar të Vetëvendosjes tha se po të kishin qenë këta deputetë të sinqertë dhe po ta kishin menduar vërtetë se situata në veri është e jashtëzakonshme atëherë do ta nënshkruanin kërkesën e tyre për seancë të jashtëzakonshme javën e kaluar.
“Po na thuhet se veriu në njëfarë forme funksionon kështu siç është që prej vitit 1999. Por kur kthehemi pak në histori do ta shohim se tërheqja e institucioneve të Kosovës nga atje është bërë gradualisht dhe me hapa. Sikur të ketë qenë e planifikuar...”, u shpreh Ymeri.
“Një pjesë e konsiderueshme e tyre ka ndodhur në Kosovën me të njëjtin kryeministër, Hashim Thaçin. Tash e katër vite e gjysmë të drejtimit të qeverisë nga ai strukturat ilegale të Serbisë janë toleruar vazhdimisht të veprojnë, terrorizojnë, vrasin, dhunojnë e plaçkitin çdo gjë shtetërore, publike e private në atë pjesë të vendit. Njëlloj sikur në kohën e qeverive të mëparshme. Tash e katër vite e gjysmë kjo qeveri e ka përkeqësuar çdo gjë në të cilën ka prekur, por edhe ato aspekte ku ajo nuk ka vepruar. E tash deputetët e saj na thërrasin në seancë, për ta zëvendësuar mungesën e veprimit qeveritar e institucional atje”, tha ai, duke shtuar se kjo qeveri e ka vetëm një mënyrë për ta shpëtuar Kosovën, e kjo sipas tij, është dorëheqja e saj.
Ndërkaq, shefi i Grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini se veriu i Kosovës është reflektim i qeverisë. Ai tha se qeveria çdo gjë që e ka bërë ka qenë false, duke u zhveshur kështu Kosovën prej mundësisë për t’u marrë me veten.
Duke iu referuar raportit të ministrit Rexhepi, shefi i GP-së së AAK-së tha se Qeveria e Kosovës tërë kohën e shfrytëzon për të kamufluar, për t’i hedhur hi syve qytetarëve të vendit dhe për Qeverinë tha Gjini për çdo gjë të gjithë kanë faj përveç atyre.
Sipas tij, akuzimi i Serbisë për çështjet në veri është paaftësi e institucioneve për t’u marrë me problemet.
Duke shprehur qëndrimin se siguria në veri është më e keqe, veriu më pak i integruar, strukturat ilegale më të sigurta, më pak shqiptarë në veri se në vitin 2008, Gjini tha se me këtë qeveri në pushtet Kosova po shkon drejt zhbërjes, për atë që është munduar me shekuj.