Kroacia mbështet forcimin e shtetësisë së Kosovës

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ka pritur një delegacion të lartë të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Republikës së Kroacisë, i cili po qëndron për një vizitë pune në Kosovë, ndërsa me këtë rast është konfirmuar mbështetja e shtetit kroat për forcimin e shtetësisë së Kosovës.

Në njoftimin për media bëhet e ditur se në takimin që ministri Hoxhaj zhvilloi me delegacionin kroat, të kryesuar nga Nebojsa Koharovic, drejtor Gjeneral i Çështjeve Bilaterale në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane të Kroacisë, u bisedua për thellimin e bashkëpunimit politik, ekonomik, social e arsimore mes dy shteteve.
Hoxhaj ka shprehur vullnetin e Qeverisë së Kosovës për të përfituar nga eksperienca e suksesshme e Kroacisë në proceset integruese të Kosovës.
Ndërsa, udhëheqësi i delegacionit kroat, Nebojsa Koharovic dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Ibrahim Gashi, kanë dhënë një deklaratë për medie.
Koharović ka shprehur mbështetjen e plotë të Republikës së Kroacisë jo vetëm për pavarësinë e Kosovës, por edhe për të gjitha proceset e tjera që lidhen me forcimin e shtetësisë së Kosovës.
Ai ka theksuar gatishmërinë e plotë të Kroacisë për të mbështetur Kosovën në proceset integruese në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
“Ne si Qeveri e Kroacisë, mbështesim fuqishëm Kosovën në të dy këto procese integruese sepse Kosova jo vetëm që e meriton nga faza dhe dimensionet e reformave që janë ndërmarrë gjatë katër vjetëve pas pavarësisë, por pasi që është edhe një shtet që është i paevitueshëm në çdo lloj procesi të stabilizimit të rajonit tonë”, tha Koharovic.
Ai vlerësoi po ashtu se Kosova është një nga partnerët e Kroacisë në rajon, duke theksuar rëndësinë e thellimit të mëtutjeshëm të marrëdhënieve bilaterale mes dy shteteve në aspektin politik, ekonomik por edhe në raportet sociale mes qytetarëve të të dyja vendeve.
Nga ana tjetër, zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Ibrahim Gashi tha se vizita e delegacionit kroat në Kosovë ka karakter pune dhe se gjatë takimeve konsultative do të vlerësohet shkalla e bashkëpunimit midis dy vendeve tona.
“Republika e Kosovës është shumë e interesuar që të thellojë bashkëpunimin, të rris numrin e marrëveshjeve bilaterale ndërmjet dy shteteve si dhe të përfitoj nga përvoja e Kroacisë në procesin e shtetndërtimit e mbi të gjitha nga eksperienca kroate në procesin e integrimit evropian, ku Kroacia në fakt ka kryer me shumë sukses këtë proces dhe është në fazën finale të anëtarësimit”, tha Gashi, duke shtuar se eksperienca e Kroacisë është e vlefshme jo vetëm për Kosovën, por edhe për të gjitha vendet e rajonit.