Ambasadori Ismajli do të pritet nga presidenti Obama

Presidentja e Republikës e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka zhvilluar të mërkurën një takim me ministrin e Punëve të jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj dhe ambasadorin e ri të Kosovës në SHBA, Akan Ismajli.

 Presidentja Jahjaga dhe ministri i Jashtëm Hoxhaj diskutuan për marrëdhëniet e shkëlqyeshme në mes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës së Kosovës dhe i dhanë mbështetje në misionin e tij, ambasadorit të ri në SHBA, Akan Ismjali.
Me këtë rast, ambasadori Ismajli ka marr letrat kredenciale nga presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga. Kjo e fundit e udhëzoi ambasadorin Ismajli që t’ia përcjell dëshirat e saj më të mira presidentit Barack Obama për popullin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe përkushtimin e Republikës së Kosovës për të avancuar dhe dinamizuar marrëdhëniet speciale ndërmjet dy vendeve.
Ambasadori Ismajli pritet që me 2 maj 2012 t’ia dorëzoi letrat kredenciale presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama. Para nisjes për në Shtetete e Bashkuara, Ismajli do të ketë takime edhe me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, me kryeparlamentarin Jakup Krasniqi dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj.