Zëvendësprokurori serb për krime lufte, Bruno Vekaric, ka thënë se “qytetarët e Kosovës, të dyshuar për krime lufte, duhet të jenë të kujdesshëm, sepse i pret arrestimi sipas urdhër-arresteve sekrete të Serbisë”.
"Ne kemi ende lëndë të të dyshuarve për krime lufte”, ka thënë Vekaric për REL në gjuhën serbe, duke refuzuar të përgjigjet se cili është numri lëndëve të tilla.
Për akuzat për krime lufte kundër Mark Koshnjetit, ai thotë se “ato janë të bazuara dhe se shumë shpejtë do të vërtetohen nga dëshmitarët”.
"Do të vijnë shumë dëshmitarë, të dëmtuar, që të bëjnë identifikimin. Kjo do të bëhet nesër, pra atëherë do të keni informata të reja”, ka thënë Vekaric.