Punëtorët e Sharrcem kërcënojnë me ndërprerje të prodhimit

Punëtorët e çimentores "Sharrcem" në Han të Elezit kanë protestuar për të tretën herë, të martën, afro dy orë, ndërsa kanë deklaruar se do t'i përshkallëzojnë veprimet nëse menaxhmenti i fabrikës nuk i përfill kërkesat e tyre.

"Sot edhe një herë ia kam dorëzuar drejtorit të përgjithshëm kërkesat e punëtorëve në formë të shkruar, ndërsa në plan është ndërprerja e prodhimit nëse menaxhmenti i fabrikës nuk i plotëson ato ndërkohë", ka theksuar Sabit Sallahu, kryetar i Sindikatës së të punësuarve të "Sharrcemit", pa dhënë ndonjë datë sa i përket jetësimit të këtij kërcënimi. Sallahu ka deklaruar se do të vazhdohet me protesta deri në çastin kur menaxhmenti i fabrikës të përcaktohet për anulimin e vendimit për zvogëlimin e bonuseve, sikundër edhe për shfuqizimin e vendimit tjetër për heqjen nga listat e pagave të 86 punëtorëve në pushim me pagesë dhe të 21 të tjerëve me status të pensionistëve të parakohshëm.
"Një orë kemi protestuar para objektit të administratës së fabrikës dhe një orë në repartin e paketim-ngarkimit", ka thënë Sallahu.
Për një orë nuk ishte lejuar të ngarkohet me çimento asnjë kamion. Kryesindikalisti Sallahu ka sqaruar se punëtorët janë të pakënaqur edhe me vendimin e menaxhmentit për kontraktimin e një kompanie private për paketimin e thasëve me çimento dhe ngarkimin e kamionëve të blerësve me to.
"Punëtorët e këtij reparti i ka brengosur kontraktimi i kësaj kompanie pasi druajnë se do të mbesin pa vendet e tyre të punës pas skadimit të afatit për mos largimin nga puna të asnjërit punëtor të fabrikës, më 2013", ka nënvizuar Sallahu, raporton Koha.
Në këtë kontekst, është rikujtuar se në paragrafët e kontratës së privatizimit të "Sharrcemit" figuron edhe zotimi i blerësit për t'ua ruajtur vendet e punës të gjithë punëtorëve për 3 vjetët në vijim. Gjiganti "Sharrcem", prodhuesi i vetëm i çimentos në Kosovë, është shitur për 30 milionë euro.