Zhvillimet në veri, praktika të kohës së Milosevicit

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, duke folur për zhvillimet në veri të Kosovës, tha mbrëmë se bëhet fjalë për "rikthimin e praktikave tipike të kohës së Milosevicit - policë të shtrirë dhe të lidhur si armiq, një akt terrorist ndaj një qytetari dhe familjes së tij".

Berisha po ashtu deklaroi se megjithëse Serbia ndodhet në një periudhë elektorale, veprimet e tilla absolutisht nuk mund t'i justifikojë.
Ai tha se shpreson që marrëveshja e arritur në Bruksel, të zbatohet në interesin më të mirë të Prishtinës dhe Beogradit. "Vlerësoj faktin që Beogradi hoqi dorë nga zgjedhjet lokale në Veri të Mitrovicës", citohet të ketë thënë Berisha.
Edhe për problemet e shqiptarëve në Preshevë, Bujanovc dhe Medvegjë Berisha tha se edhe ato janë në përputhje me të gjithë dokumentet ndërkombëtare.
"Mendoj që këto komuna meritojnë dhe do të kenë një mbështetje më të madhe nga qeveria shqiptare në interes të zhvillimit të tyre dhe qëndrimi ynë ndaj kufijve është shumë i qartë. Ne jemi për respektimin e plotë të kufijve aktualë", theksoi Berisha në një konferencë me gazetarë.