Loja e rrezikshme me tela gjemborë

Grupe serbësh, në orët e vona të së martës kanë vendosur tela gjemborë te barrikada në hyrje të fshatit Rudar të Zveçanit. Në këtë mënyrë nga ana jugore pengohej qarkullimi i banorëve shqiptarë të tri fshatrave të Zveçanit: Zhazhë, Boletin dhe Kelmend.

Banorët e këtyre fshatrave kanë larguar telat nga aty. Fatmir Kelmendi, përfaqësues i fshatit Kelmend, thotë se këto veprime të strukturave ilegale serbe e kanë tensionuar shumë situatën.
Banorët i kanë vërejtur serbët rreth orës 19:30 duke vendosur telat gjemborë në hyrje të rrugës, që shpie për këto tri fshatra.
“Kjo ka ndikuar në tensionimin e situatës, meqë banorët e këtyre tri fshatrave e kanë rrugën kryesore atë, e cila para dy vjetësh ishte asfaltuar me mbështetje të Qeverisë së Kosovës”, ka sqaruar ai, transmeton koha.net.
Serbët janë vendosur matanë barrikadës, ka thënë Kelmendi, i cili më tej ka shtuar se për këtë rast ka lajmëruar edhe Policinë e Kosovës, e cila ka dalë në vendin e ngjarjes.
Disa orë pas largimit të telave, serbët prapë i kanë rivendosur ato, për t’u larguar sërish nga shqiptarët. Kjo ka ndodhur disa herë gjatë natës.
Kelmendi shtoi se pos Policisë së Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i nuk kanë dalë fare në terren.