Nën drejtimin e kryeministrit Hashim Thaçi është mbajtur sot mbledhja e 70-të e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në hapje të mbledhjes, Thaçi ka thënë se nuk do të ndodh pretendimi i Serbisë për të mbajtur zgjedhje në Kosovë.
“Qëndrimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës ka qenë është dhe do të mbetet shumë i qartë, Serbia me pretendimin e vet për të organizuar zgjedhje në Kosovë, nuk do t’ia arrij qëllimit”, pohoi Thaçi duke shtuar se Qeveria e Republikës së Kosovës do të përdorë gjithë mekanizmin e vet kushtetues dhe ligjor që diçka e tillë të mos ndodh.
“Kur flas se nuk do të mund të organizoj Serbia zgjedhje në Kosovë, flas edhe për zgjedhje lokale, edhe për zgjedhje të përgjithshme edhe presidenciale”.
Më pas Qeveria sipas rendit të ditës ka miratuar Projektligjin për Taksën Rrugore dhe Ekologjike të Automjeteve.