“ÇOHU!”: Pushteti po e han shtetësinë e Kosovës

Janë bërë gati dy javë prejse Gazeta “Preportr” ka dalë me një raport hulumtues që tregon mbi shpërndarjen e mbi 100 milionë eurove të parasë publike, financuesve të partisë në pushtet, PDK-së. Brenda disa orësh, kjo parti ka marrë guximin t’i quajë shpifje raportet në të cilat gazetarët hulumtues të Qendrës Kosovare për Gazetari Hulumtuese (QKGH) si dhe hulumtues të Organizatës “ÇOHU!” i kanë përgatitur për gati gjysmë viti. Gati gjysmë viti puna e gjashtë hulumtuesve është njollosur si shpifje nga partia në pushtet, por për dy javë rresht nuk është dhënë asnjë argument dhe nuk është bërë asnjë përpjekje për ta konfirmuar këtë pretendim të PDK-së. Kjo është mënyra tipike e kualifikimeve që PDK-ja ka bërë në vazhdimësi për dhjetëra, apo edhe qindra raporte hulumtuese të gazetarëve e medies kosovare, thuhet në komunikatën e Organizatës “ÇOHU!”.

Në kumtesën për media Organizata “ÇOHU”, më tej thotë se, “duke kapur kanalet kryesore televizive nga të cilat informohet qytetari kosovar, para së gjithash televizioni publik, i mbushur me ithtarë të devotshëm të PDK-së, kjo parti po vazhdon që me arbitraritet t’iu përgjigjet raporteve të faktografuara për krime masive ekonomike”.
“Prodhim direkt i kësaj hajnie masive është një pushtet autoritar që bën kompromise politike në kurriz të shtetit pa i dhënë llogari askujt. Deputetë, anëtarë të kryesisë së Parlamentit, sindikalistë, po ashtu janë shndërruar në njerëz të kamur duke iu mbyllur kështu gojën edhe atyre që do të duhej të kërkonin llogari nga pushteti jo vetëm për manipulimin masiv të parasë publike, por edhe për kompromiset e vazhdueshme në kurriz të shtetësisë së Kosovës.
Më tej “ÇOHU!”, thotë se “skema e PDK-së në pushtet është e thjesht, por gjigante. Qindra miliona euro u janë shpërndarë kompanive që kanë financuar këtë parti, ose janë shpërndarë për kompanitë që janë themeluar enkas për tenderë publikë, e që kanë shërbyer si burim për shndërrimin e politikanëve në milionerë brenda dy mandateve. Sot liderët e Kosovës, madje bashkë me bodigardët e tyre e me zyrtarë nga të gjitha nivelet, kanë vlera pasurore marramendëse. Mbase, pushtetarët aktual kosovarë, janë politikanët e zyrtarët më të pasur në rajon, por i prijnë vendit më të varfër që po varfërohet edhe më shumë në vazhdimësi”.
“Produkti më i freskët final i korrupsionit masiv në Kosovë është fenomeni i parë botëror i organizimit të zgjedhjeve të një shteti në territorin e një shteti tjetër madje nën administrimin e organizatave të rëndësishme ndërkombëtare, siç është OSBE. Kosova sot po e pranon legjitimitetin e shtetit serb në një pjesë të territorit si pasojë direkte e futjes masive në korrupsion të tërë spektrit politik në pushtet, edhe atë në të gjitha degët e pushtetit”, thuhet në komunikatë.