Mbetja e qindra tonelatave patate të pashitura, që kultivuan fermerët vushtrrias sezonin e kaluar, është shndërruar në faktor ndotës të ambientit. Ato po hidhen në breg të lumit Sitnica përskaj Vushtrrisë.
Gjendje më e rënd po mbretëron në fshatin Pestovë, si territori ku më së shumti kultivohet kjo kulturë bujqësore. Në Drejtorinë Komunale për Inspeksion të Vushtrrisë, konfirmojnë se sivjet po kanë probleme më të mëdha në fshatin Pestovë, pikërisht nga hedhja e mbeturinave, ku për këtë ata thonë të jenë lajmëruar disa herë nga ana e banorëve të këtij fshati.
Zëdhënësi i Komunës në Vushtrri, Bahri Bivolaku, tha se inspektorati komunal vazhdimisht po inspekton në këtë fshatë, por ato mbeturina (patatet e kalbura) po hidhen gjatë natës dhe parandalimi thuajse është i pamundur, raporton Koha net.
Komuna e Vushtrrisë njihet si vendi ku më së shumti kultivohet patatja. Për një sezon në tokat e kësaj komuna mbjellën rreth 70 mijë tonë patate, sa është konsumi i tërësishëm i banorëve në Kosovë. Ndërsa rreth 70 mijë tonë të tjera patate prodhohen për tregun e jashtëm, ku në pamundësi të kësaj fermerët nga Kosova këtë vit kanë shfaqur disa herë revolte e tyre në institucionet vendore.