Komandanti i KFOR-it, Erhard Drews, ka thënë se trupat e tij kanë vlerësuar se maunat me medikamente të ardhura nga Rusia nuk kanë paraqitur ndonjë rrezik për ambientin e qetë dhe të sigurt në Kosovë, prandaj dhe nuk kanë marrë asnjë veprim ndaj tyre. Ai ka përkujtuar se trupat e KFOR-it nuk kanë mandat që të kryejnë detyrat e policisë kufitare apo të doganave dhe se nganjëherë "pritjet janë më të mëdha se çfarë duhet të bëjë KFOR-i dhe çfarë jo".
Në këtë mënyrë ai i është përgjigjur shqetësimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, i cili kishte shprehur brengën për lejimin e papenguar të kamionëve me mallra në kalimet ilegale kufitare nga Serbia në Kosovë.
Në mëngjesin e së hënës nëpërmjet rrugëve alternative të kufirit me Serbinë është futur një kamion, dërgesë nga Rusia, e deklaruar të ketë ngarkesë me barna dedikuar spitalit të Mitrovicës. Ministri Rexhepi menjëherë pati reaguar për këtë. Ai qe shprehur i indinjuar që KFOR-i, mision i NATO-s në Kosovë, ka lejuar një gjë të tillë, ngaqë, sipas tij, kamioni mund të ketë pasur edhe armatim brenda, transmeton Koha.net.