Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), kërkon nga 56 qeveritë e shteteve anëtare, që të ndërmarrin hapa realë në sigurimin e lirisë së fjalës. Ndërsa, shefja për politikë të jashtme të BE-së, Catherine Ashton, ka thënë se Censurimi dhe kërcënimi i redaktorëve, shkrimtarëve, gazetarëve ose kolumnistëve është i papranueshëm, ashtu siç është i papranueshëm përdorimi i dhunës dhe arrestimi tyre.
“Të gjitha shtetet pjesëmarrëse në OSBE duhet të tregojnë përkushtim për vlerat e tyre demokratike duke vepruar e jo vetëm me fjalë”, tha Dunja Mijatovic, përfaqësuese e OSBE-së për Liri të Mediave, në Tunizi, në një konferencë ndërkombëtare, ku shënohet Dita Botërore e Lirisë së Shtypit.
Më tutje ajo theksoi se “autoritetet duhet ta bëjnë të qartë se sulmet dhe presionet psikike ndaj reporterëve, vrasjet e pazgjidhura, arrestimet arbitrare dhe burgosjet dhe ligjet drakoniane për shtyp, që e instalojnë censurën në Internet dhe jashtë tij, nuk kanë vend në shoqëritë moderne, që synojnë progres dhe prosperitet”.
Mijatovic ka theksuar se “të 56 shtetet pjesëmarrëse duhet ta mbrojnë lirinë e mediave si element vital, jo vetëm më 3 maj”.
Censurimi dhe kërcënimi i redaktorëve, shkrimtarëve, gazetarëve ose kolumnistëve është i papranueshëm, ashtu siç është edhe përdorimi i dhunës dhe arrestimeve të nxitura nga shteti që u bëhen atyre. Kështu thuhet në deklaratën e përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme të BE-së, Catherine Ashton në ditën botërore të lirisë së shtypit.
Ashton e vlerëson lartë punën e guximshme të gazetarëve, të cilët, shpesh në kushte shumë të rrezikshme, vazhdojnë të japin informacione të pavarura.