Dialogu në pikëpyetje

Mjegullohet fati i dialogut teknik mes Prishtinës dhe Beogradit. Zyra e kryenegociatores kosovare, Edita Tahiri, ka kohë që nuk përgjigjet në interesimin e gazetarëve për këtë cështje.

Njëri nga këshilltarët e zonjës Tahiri tha se duhet t’i drejtohemi zyrës së kryeministrit, sepse tani gjërat kanë marrë tjetër drejtim, pa specifikuar se për çfarë konkretisht bëhet fjalë.
Diçka e tillë vë në pikëpyetje edhe faktin nëse Edita Tahiri do të vazhdojë jetë në krye të këtyre negociatave apo jo.
Burime zyrtare nga Kryeministria, duke folur në kushte anonimiteti, thanë për Top Channel se deri në këtë fazë nuk është bërë asnjë ndryshim në përbërjen e ekipit negociator. Por, burimet në fjalë nuk përjashtojnë mundësinë që kjo të ndodhë të ardhmen, pasi edhe vetë procesi i dialogut është pezulluar.
Duke komentuar shtypin e ditës së shtunë në Kosovë, i cili kryesisht flet për largimin e mundshëm të Edita Tahirit, por edhe ndërmjetësit të BE-se Robert Cooper, burime qeveritare thonë se nuk janë njoftuar nga BE-ja as për ndërrimin e ndërmjetësit të saj.
Deklarata zyrtare më e fundit mbetet ajo e kryeministrit pak ditë më parë. Hashim Thaci tha se Qeveria e tij nuk do të vazhdojë dialogun me qeverinë e Beogradit, pa u zbatuar marrëveshjet e arritura, në mënyrë të veçantë ajo për përfaqësimin rajonal dhe menaxhimin e integruar të kufijve.
Një tjetër qëndrim për këtë mban parlamenti i Kosovës i cili i ka rekomanduar qeverisë që të kushtëzojë bisedimet me zbardhjen e fatit të të zhdukurve.