Një plan për veriun që kënaqë të gjitha palët!

Ambasadori i Francës në Kosovë, Jean Francois Fitou, e vlerësoi të rëndësishme marrëveshjen për mbajtjen e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale serbe edhe në Kosovë.

Duke folur në një tubim me qytetarë në Prizren, ambasadori Fitou tha se Qeveria e Kosovës në këtë rast ka treguar zemërgjerësi dhe inteligjencë. Ndryshe, ai tha se Qeveria e Kosovës duhet të propozojë një plan për veriun i cili do i kënaqte të gjitha palët.
”Qeveria e Kosovës nuk ka dashur që kompleksiteti i marrëdhënieve Kosovë-Serbi mos t’i lejojë serbët që kanë të drejtë vote ta shfrytëzojnë atë. Kjo është mendje e hapur e Qeverisë e cila duhet të falënderohet publikisht, edhe përkundër faktit se zgjedhjet janë të komplikuara, marrë parasysh marrëdhëniet që i kanë këto dy shtete”, ka thënë ai, transmeton RTK.
“Qeveria e Kosovës me këtë vendim e ka falur Serbinë dhe ky është një akt i mirë dhe vullnet që serbët dhe shqiptarët të jetojnë së bashku ose afër njeri tjetrit për një të ardhme. Pra thjeshtë kjo është dalja nga një hakmarrje, por edhe gjest human”.
Duke folur për planin ndërkombëtar për veriun ambasadori francez theksoi se “qëndrimi im është që vizioni të jetë i përgjithshëm për të gjithë qytetarët e pse jo edhe të veriut që ata të jetojnë lirshëm në Kosovë sikurse çdo qytetarë tjetër”.
”Duhet që Qeveria e Kosovës të propozojë një plan për veriun, i cili do i kënaqte kërkesat e të gjithëve përfshirë edhe serbët e pjesës veriore”, deklaroi Fitou. “Mirëpo, a duhet që vizioni të bazohet në planin e Ahtisaarit dhe decentralizimin, përgjigjja e Qeverisë është po? duhet të fillojnë me atë që dimë dhe njohim për të biseduar me serbët e veriut, sepse këtu është rrethi përmbyllës i veriut”.