Vetëvendosje art mbi gropat e Prishtinës

Lëvizja Vetëvendosje gjendjen e rëndë të rrugëve në Prishtinë e ka vlerësuar si paaftësi dhe neglizhencë të Komunës së Prishtinës.

Në aksionin e tyre simbolik për rrugët e Prishtinës, Vetëvendosje tha se pamja e tyre i ngjan në rastin më të mirë një instalacioni grotesk.
“Është e tepërt të përshkruajmë vështirësitë e ngasësve të makinave dhe këmbësorëve në aktivitetin e tyre të përditshëm. Ne aktivistët e Qendrës së Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Prishtinë ndërmorëm sot një aksion simbolik. Shënjuam gropat në rrugët kryesore për dy qëllime, t’i bëjmë ato të dukshme për ngasësit dhe këmbësorët, por dhe për Komunën e cila ose është “e verbër” ose e ka kthyer vështrimin dika tjetër dhe s’mund të shohë”, thuhet në kumtesë.
Sipas tyre, gjatë dimrit Prishtina u kthye në një “qendër skijimi” si pasojë e të cilës qytetarët patën dhe pasoja të rënda shëndetësore, ndërsa tani gjatë pranverës, i gjithë qyteti ka marrë prej tymi për shkak të pluhurit të ndërtimeve e të rrugëve të pashtruara.
“Secili qytetar në një mënyrë ose tjetër paguan taksa të cilat përkthehen në buxhete komunale e me të cilat pritet së pari që të jetë e mirëmbajtur infrastruktura. Me këtë veprim tonin sot ne mund të eliminojmë shëmtinë e këtyre gropave por jo dhe pasojat që ato shkaktojnë në vetura e këmbësorë. Këtë duhet ta bëjë Komuna e Prishtinës, e cila me cilësinë e dobët të punëve që po kryen në rrugë po bënë që pas vetëm një dimri prapë rrugët të kthehen në një gjendje të mjerueshme me përplot gropa”, vlerëson Vetëvendosje.