Kosova pret njohje nga shtetet myslimane

Kosova pret të njihet nga vendet myslimane në Afrikë dhe në Azi, përfshirë edhe vendet e prekura nga Pranvera Arabe, ka thënë për mediat turke, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Krasniqi javën e kaluar ishte në një vizitë në Turqi, ku kishte takime edhe me Kryeministrin Recep Tayyip Erdogan, si dhe Kryetarin e Parlamentit turk, Çemil Çiçek. Në një intervistë për ditoren turke Hurriyet Daily News, ai ka thënë se Turqia është një nga shtetet që i ka dhënë mbështetjen më të madhe Kosovës.
"Ne jemi duke biseduar me shtetet myslimane, si Pakistani, Indonezia dhe Bangladeshi; vendet afrikane dhe vendet që kanë kaluar nëpër Pranverë Arabe, si dhe me vendet e Amerikës së Jugut", tha Krasniqi.
Kosova, një vend i varfër me një popullsi shumicë shqiptare, shpalli pavarësinë në shkurt të vitit 2008. Territori menjëherë u pranua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet kryesore të Bashkimit Evropian. Krasniqi tha se Kosova ka marrë nga BE premtimet për liberalizim - brenda dy viteve - të vizave.
Kryeparlamentari thotë se marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë nuk janë zbutur ende, për shkak të rezistencës së palës serbe për të ndërtuar marrëdhënie me Kosovën.
"Ne duam ta përmirësojmë dialogun me Serbinë, me ndihmën e BE-së. Megjithatë, politika e jashtme e politikanëve serbë në Beograd shikon kombet tjera në rajon".
Krasniqi tha gjithashtu se ka mundësi të mëdha dhe të reja në Kosovë për biznesmenët turq, dhe se Kosova pret që ata të bëjmë më shumë investime në Kosovë.
"Ka mundësi të reja që duhet të shfrytëzohen nga biznesmenët turq. Kosova është një vend i pasur, për shembull në aspektin e burimeve natyrore. Dhe, si një vend që e po merr veten nga lufta, Kosova ka nevojë për këto investime në mënyrë që ta riparojë ekonominë e sajë të dëmtuar", tha Krasniqi.