Gjermania zgjat mandatin e forcave të saj në Kosovë

Qeveria e Gjermanisë ka marrë vendim për zgjatjen edhe për një vit të mandatit të forcave të armatosura në Kosovë, të cilat ndodhen në kuadër të KFOR-it.

Vendimin e sotëm të qeverisë, deri në fund të muajit duhet ta konfirmojë edhe parlamenti federal i Bundestagut.
Aktualisht, në mesin e 5,700 forcave ndërkombëtare në Kosovë ndodhen 900 ushtarë gjermanë, çfarë është kontingjenti më i madh kombëtar.
Ditë më parë, Bundesveri (Forca Federale Mbrojtëse) ka dërguar 550 forca shtesë në Kosovë, të cilat do të kujdesen për situatën e sigurisë në prag dhe gjatë zhvillimit të zgjedhjeve të Serbisë.
Kjo e fundit pritet të mbajë zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale edhe në territorin e Kosovës, transmeton Rel.
Shpenzimet e zgjatjes njëvjeçare të mandatit të ushtarëve gjermanë në KFOR thuhet se kapin vlerën e 68 milionë eurove.