MASHT-i dhe DKA të përgatitura për Provimin e maturës

Drejtuesit e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në takimin me Drejtoritë komunale të arsimit, kanë theksuar se janë bërë të gjitha përgatitjet për provimin e maturës shtetërore.

Zëvendësministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Nehat Mustafa duke folur rreth përgatitjeve theksoi se tashmë janë publikuar edhe broshurat me informacionet bazë mbi maturën, për të gjithë maturantët e Republikës së Kosovës.
Ai ka lutur Drejtoritë komunale të arsimit, që t’i obligojnë shkollat për të mbajtur nga një test provues me maturantët nga provimet e viteve të kaluara, në mënyrë që ata të informohen më shumë rreth mbushjes së fletëpërgjigjeve dhe të bëhet një lloj njohje e maturantëve me testin e maturës.
Ndërsa, drejtori i departamentit për Zhvillimin e Arsimit Parauniversitar, Agim Bërdyna , i cili ka folur rreth planit dinamik dhe teksteve shkollore, ka kërkuar nga DKA-të që të përcjellin shkallën e dëmtimit të teksteve nga nxënësit e nivelit fillor të arsimit, si dhe të sillen me kohë shënimet e nevojshme për pajisje me tekste shkollore nga shkollat private.
Mustafa ka folur rreth përzgjedhjes së Abetares së përbashkët “Shqipëri- Kosovë”, manifestimi i së cilës do të mbahet më 8 maj në Prizren, për shkak të rëndësisë që ka ky qytet gjatë gjithë historisë dhe si një vend që lidh dy kryeqytetet, ku të dy ministrat e Arsimit, Ramë Buja dhe Myqerem Tafaj do të bëjnë publike Abetaren e përzgjedhur.