Komuna e Mitrovicës ka marrë vendim që të përkujdeset për familjen e të ndjerit, Selver Haradinaj, i cili u vra para katër ditësh në banesën e tij në veri të qytetit, pas një sulmi me një mjet shpërthyes. Kjo familje do të ndihmohet edhe materialisht nga komuna dhe Qeveria e Republikës së Kosovës.
Kryetari i komunës së Mitrovicës, Avni Kastrati, të enjten ka pritur në zyrën e tij gruan dhe fëmijët e të ndjerit Selver Haradinaj, të cilët i ka ngushëlluar për humbjjen e bashkëshortit dhe prindit dhe i ka siguruar se institucionet do të jenë pranë tyre vazhdimisht, thuhet në një kumtesë të lëshuar nga zyra për informim e Komunës së Mitrovicës.
“Ne do të përkujdesemi për strehimin e familjes diku në jug të qytetit, sipas dëshirës së vetë familjarëve”, tha ai, duke shtuar se do të sigurohen edhe të gjitha pajisjet shtëpiake për banesën që do ndahet për këtë familje.
Poashtu ai theksoi se komuna do të përkujdeset edhe për shkollimin e fëmijëve të kësaj familjeje.
Kryetari Kastrati, tha se komuna do të ndaj edhe 5 mijë euro për këtë familje, përderisa Qeveria do të ndihmojë me 9 500 euro. Ai prezantoi edhe një premtim të menaxherit të “Trepçës”, Ferat Shala, për punësimin e njërit prej vëllezërve të të ndjerit.
Gjithashtu ai tha se do të meremetohet edhe banesa e shkatërruar në veri, ku ka shfaqur dëshirën të jetojë njëri prej vëllezërve të Selverit të ndjerë.
Druaja e të ndjerit Selver Haradinaj, Fikria falënderoi kryetarin dhe institucionet për mbështetjen. Ajo tha se banesën që e kanë në veri, nuk do ta shesin me asnjë kusht, por njëherë nuk do të kthehen atje për shkak të ankthit që kanë përjetuar fëmijët.