NATO kërkon vigjilencë!

NATO vazhdon të jetë e përkushtuar për të ndihmuar Kosovën në forcimin e mëtejshëm të stabilitetit të saj, ruajtjen e paqes dhe krijimin e një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës, tha të enjten në Prishtinë, komandanti i Aleancës në komandën e Napolit, admiralin Bruce W. Clingan.

 Pas takimit me presidenten e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, gjenerali Clingan tha se NATO përcjellë nga afër zhvillimet në Kosovë dhe pret që institucionet dhe populli i Kosovës të jenë vigjilent ashtu si edhe deri më tani, dhe të mos lejojnë që incidentet individuale të përdoren për arritjen e qëllimeve politike dhe krijimit të një klime të pasigurisë e jotolerancës.
Clingan shprehu interesimin e veçantë të NATO-s që të ndihmojë konsolidimin dhe avancimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës e cila sipas vlerësimeve të KFOR-it ka arritur kapacitetin e plotë operacional.
Ndërsa presidentja e Republikës së Kosovës, tha se mbështetja e KFOR-it për institucionet e Kosovës është e nevojshme, posaçërisht, në komunat në veri të vendit, për të tejkaluar vështirësitë me të cilat po përballet Kosova. Ajo tha se sulmet me bomba dhe incidentet, si ai i fund javës së kaluar, kur u vra një qytetar dhe i lënduan familjarët e tij, janë të papranueshme.
Presidentja Jahjaga bëri thirrje për qetësi me qëllim të mos lejimit të përshkallëzimit të situatës. Ajo theksoi se bazuar në përgjegjësitë e saj kushtetuese dhe ligjore ka filluar një varg takimesh me udhëheqësit e mekanizmave të sigurisë, ata vendorë dhe ndërkombëtarë, për të vlerësuar situatën e sigurisë dhe për të bashkërenduar veprimet institucionale.
Presidentja Jahjaga tha se strukturat ilegale dhe kriminale në komunat në veri të Kosovës, të mbështetura nga Republika e Serbisë, po vazhdojnë të veprojnë dhe ato përbëjnë shkelje të sovranitetit dhe të integritetit territorial të Republikës së Kosovës, që kanë për qëllim kanë ndarjen e Kosovës.
Presidentja tha se e vetmja zgjidhje më e mirë për komunat në veri, është zbatimi i plotë i Planit Ahtisaari, që ofron një autonomi të gjerë komunale. Ajo tha se institucionet e Kosovës janë kundër mbajtjes së zgjedhjeve të Republikës së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës sepse ato shkelin sovranitetin dhe minojnë legjitimitetin e institucioneve të Kosovës.