Policia arreston kreun e bujqve

Policia e Kosovës ka arrestuar Tahiri Tahirin, kryetar i Federatës Sindikale të Bujqve të Kosovës (FSBK) dhe disa fermerë në hyrje të Prishtinës tek lokacioni Tregu i Kafshëve në rrugën në drejtim të Podujevës.

Prodhuesit e patates më herët kishin paralajmëruar se do të protestonin në Prishtinë, para qeverisë, duke kërkuar kompensim për dëmet si pasojë e mosshitjes së produkteve të tyre. Ata kanë kërkuar nga policia që të lejohen të hyjnë në qytet me automjetet e tyre me patate, duke i dhënë ultimatum policisë që në afat prej 15 minutash të lejojë kalimin e tyre.
Pas këtij afati, ata kanë filluar të derdhin patatet në rrugë, duke penguar rrjedhën e lirë të komunikacionit. Si pasojë e kësaj, policia ka bërë arrestimin e personave në fjalë, të cilët janë shoqëruar për në stacionin policor, raporton Kosovapress.
Ndërsa, qarkullimi i automjeteve të qytetarëve është mundësuar menjëherë pas arrestimit të fermerëve.