Legjenda braziliane, Pele, edhe njëherë ka thumbuar superyllin argjentinas të Barcelonës, Lionel Messi, duke vënë në dyshim aftësitë e këtij të fundit.
Pele këmbëngul se ylli i Santosit, Neymar, është shumë më i talentuar se sa Messi, por se brazilianit i mungon përvoja.
“Messi është një yll. Por, që Messi të jetë më i miri i të gjitha kohërave, së pari duhet të dëshmojë se është më i mirë se Neymar. Gjëja e vetme që Messi ka më shumë se Neymar është përvoja, përndryshe është shumë larg tij”, ka deklaruar Pele.
Nuk është hera e parë që Pele vë në dyshim talentin e Lionel Messit. Ai në të kaluarën ka thënë se Messi duhet të shënojë më shumë se 1000 gola për t’u cilësuar si më i miri në histori dhe pos tjerash në të njëjtin thes shpesh e ka futur edhe me Maradonën, duke thënë se të dy janë më të dobët se sa që ka qenë vet ai.