Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka thënë se Qeveria Thaçi mashtron qytetarët me buxhet të lartë të aprovuar, i cili pastaj shkurtohet vazhdimisht me vendime ad hoc. Sipas kësaj partie me vendim të Qeverisë, të datës 28.03.2012, janë reduktuar alokimet për shpenzime buxhetore për rreth 20 milionë euro prej të cilave 10 milionë për mallra dhe shërbime, 7.5 milionë për investime kapitale dhe 2.4 milionë për subvencione dhe transfero.
Arsyet e dhëna në vendimin e qeverisë kanë të bëjnë me mungesën e mjeteve buxhetore si rezultat i vonesave në privatizimin e PTK-së. “Ky vendim vjen pas vendimit të mëhershëm të muajit shkurt për shkurtime të mjeteve prej mbi 8 milionë euro në projekte të ndryshme kapitale”, thotë LDK-ja nëpërmjetë një komunikate për media.
Praktika e planit buxhetor që karakterizuar me shpenzime të larta dhe të hyra të pasigurta, ka bërë që edhe vitin e kaluar të reduktohen investimet dhe shpenzimet për më shumë se 60 milionë euro. Kjo praktikë është një mashtrim për qytetarët dhe bizneset në Kosovë.
Kjo masë e qeverisë konfirmon vërejtjet e LDK-së me rastin e aprovimit të buxhetit për 2012, se buxheti nuk mund të planifikohet në burime të tilla të të ardhurave, siç janë të ardhurat nga privatizimi i PTK-së. “Ajo që është edhe më e papranueshme është se mjetet nga shitja e aseteve publike, siç është PTK, shpenzohen pa ndonjë strategji të aprovuar nga Kuvendi i Kosovës. Theksojmë se pasuria publike është e të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe mjetet e grumbulluara nga shitja e pasurisë së tillë duhet të shpenzohen ashtu që të përfitojnë të gjithë qytetarët e vendit dhe të bazuar në një strategji kombëtare”.
Lidhja Demokratike e Kosovës tërheq vërejtjen se mënyra se si po menaxhohet buxheti i Republikës së Kosovës është joligjore dhe po e ul efikasitetin dhe cilësinë e shërbimeve që ofrojnë institucionet publike për qytetarët.