Lidhur me një informatë të botuar në disa media se “Prokuroria e Qarkut në Prishtinë ka nisur të hetojë ish-presidentin Fatmir Sejdiu dhe ushtruesin e detyrës, së presidentit, Jakup Krasniqi për shkelje të Ligjit për faljet dhe Kushtetutës”, ka reaguar ish-presidenti Fatmir Sejdiu.
Në deklaratën e Sejdiut thuhet se “si President i vendit në periudhën kohorë 2006 – 2010, dhe njëkohësisht edhe si dekretues i faljeve në dy vite ( 2009 dhe 2010), duke iu referuar të drejtës kushtetuese dhe ligjore të paraparë me ligjin mbi faljet, pavarësisht nga fakti se ky informacion është i vërtetë apo nuk është, për çka unë personalisht nuk kam asnjë njoftim, dua të theksoj:
Në vitin 2009 dhe 2010, në vigjilje të ditës së pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke u mbështetur në dispozitat e Kushtetutës së Republikës dhe të Ligjit mbi Faljet kam dekretuar faljen apo zbutjen e dënimit në dy rastet nga 62 persona, pra gjithsejtë 124 për dy vite”, thuhet në deklaratë.
Më tej Sejdiu thotë se “Këtë veprim kushtetues dhe ligjor e kam ndërmarr në bazë të konsultimeve të zhvilluara më herët me organe kompetente, përkatësisht pjesën përgatitore me Ministrinë e Drejtësisë, përfaqësuesit e enteve ndëshkimore të Kosovës dhe me përfaqësuesit e Gjykatës Supreme të Kosovës”.
Ai thotë se për secilin vit kalendarik, me rastin e faljeve ka formuar komisionet ad hoc, të përbërë nga përfaqësuesit e institucioneve.
“Kam besuar dhe besoj edhe sot në ekspertizën e tyre, analizën dhe në vlerat etike të anëtarëve të komisioneve që u kanë bërë të gjitha dosjeve në bazë të të cilave më është përcjellë rekomandimi final i tyre për falje me emër dhe mbiemër të secilit person dhe duke u mbështetur në këtë rekomandim kam dekretuar faljen.
Nga kjo që theksova më lartë nuk dua të shtoj më tepër. Jam i gatshëm, çdo herë dhe në çdo kohë të jap kontributin tim organeve të drejtësisë për të gjitha çështjet që mund të shtrohen lidhur me çështjen e ngritur në bazë të informacioneve të publikuara në opinion”, thuhet në reagimin e Sejdiut.