Shtyhet gjykimi ndaj Xhemajlit

Në Gjykatën Komunale të Drenasit është mbajtur seanca e konfirmimit të aktakuzës, e ngritur nga ana e EULEX-it, kundër të akuzuarit Muharrem Xhemalji, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, për veprën penale mashtrim në votime nga neni 180 i Kodit Penal të Kosovës. Por, procesi gjyqësor ndaj tij është shtyrë për shtatë ditë, në mungesë të prokurorit publik.

Kryetari i Gjykatës Komunale, njëherësh edhe gjyqtar i lëndës, Daut Behrami, ka konstatuar se në seancën e të enjtes nuk ka qenë prokurori publik i EULEX-it, Paskal Persons, me arsyetimin e marrë nga zyrtari ligjor i kësaj prokurorie se lënda e marrë nga ky prokuror është bartur nga një prokuror tjetër, i cili ka përfunduar mandatin dhe për shkak të verifikimit të provave të dhëna ne aktakuzë kanë kërkuar të shtyhet seanca gjyqësore edhe për shtatë ditë.
Avokati brojtës i të pandehurit Xhemajli, Ibrahim Dobruna i ka dorëzuar gjykatës dhe prokurorit nga një kopje të parashtresës, me të cilën e ka kundërshtuar akuzën ndaj klientit të tij dhe provave që gjinden në te. Ndërsa mos prezencën e prokurorit publik nga EULEX-i, Paskal Persons, Dobruna e ka konsideruar jo serioze pasi që ai është iniciues i lëndës dhe zvarrit procedurën e saj, raporton Koha.net.
Dobruna ka thënë para gjykatës se akuzat e ngritura nga EULEX-i janë shterpe dhe të pa baza. Gjyqtari Behrami, pas deklaratës së mbrojtësit merr aktvendim që seanca të shtyhet në afat të pacaktuar deri sa prokurori të kthen përgjigjen e parashtresës se mbrojtësit te të pandehurit dhe për seancën e radhës do të njoftohen palët me ftesa të rregullta.
Muajin e kaluar, prokuroria e EULEX-it kishte ngritur aktakuzë ndaj kryetarit të OVL-së, Muharrem Xhemajli, për veprën penale mashtrim në votime nga neni 180 i Kodit Penal të Kosovës, i cili dyshohet se kishte votuar 148 herë në fshatin Krajkovë të Drenasit në zgjedhjet parlamentare të viti 2010.