Gashi u prit nga homologu egjiptian

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Ibrahim Gashi po qëndron në një vizitë zyrtare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Egjiptit, ku është pritur nga zëvendësministri i Jashtëm dhe drejtor i Institutit Diplomatik të MPJ-së së Egjiptit, Osama Tawfik Badr, me të cilin ka biseduar për intensifikimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.

Nikoqiri egjiptian e ka njoftuar zëvendësministrin kosovar për rrjedhat politike në Egjipt pas revolucionit dhe përpjekjet që po bëhen në vend për përmbylljen e procesit të krijimit të qeverisë së re si dhe organizimin e zgjedhjeve presidenciale, thuhet në një kumtesë të lëshuar nga MPJ.
Më tej thuhet se biseda u zhvillua në frymë miqësore dhe zëvendësministri i Jashtëm egjiptian, Badr e siguroi zëvendësministrin Gashi se Egjipti shumë shpejtë, sapo të ketë përmbyllur krijimin e institucioneve të reja, do të marrë vendim për njohjen e Kosovës.
Populli dhe institucionet e Egjiptit, u shpreh ai, janë dhe do të jenë në mbështetje të Kosovës.