Hoxhaj: Kosova nuk e njeh Serbinë

Kosova nuk e njeh Serbinë, përderisa Beogradi ta njohë pavarësinë e vendit tonë. Kështu është përgjigjur Hoxhaj në pyetjen e Albin Kurtit, në Komisionin parlamentar për politikë të jashtme.

"Serbia fillimisht ka qenë armik i qytetarëve të Kosovës. Tani Serbia është armike e shtetësisë së Kosovës. Ne nuk e njohim Serbinë, derisa Serbia nuk e njeh shtetësinë tonë“, ka thënë ministri Hoxhaj, pas pyetjes që ia bëri kryetari i komisionit, Albin Kurti, transmeton kosovatimes.
Gjatë fjalës së tij, ministri Hoxhaj në këtë komision ka paralajmëruar 5-7 njohje për shtetin e Kosovës, që mund të vijnë në muajt e ardhshëm.
"Njohja e fundit erdhi nga Brunei. Në ditët dhe muajt e ardhshëm disa shtete që tashmë kanë marr vendimin për njohjen e Republikës së Kosovës,do të bëjnë publik vendimin e tillë. Janë rreth 6 shtete që do ta njohin Kosovën“, ka shtuar ai.
Duke folur për procesin e lobimit, Hoxhaj ka thënë se vetëm gjatë këtij viti është takuar me mbi 20 ministra të Punëve të Jashtëm të shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.