Chicago Bulls e kanë mbyllur sezonin e rregullt me një fitore shkatërruese 107-75 ndaj Cleveland Cavaliers për ta siguruar pozitën parë në renditjen e përgjithshme për play-offin e NBA-së.
Bulls udhëtuan te Cavaliers pa shumicën e lojtarëve më të mirë, përfshirë Derrick Rose, të cilët u pushuan para fillimit të pas-sezonit, ku ata do të takohen me pozitën tetë në renditjen e Konferencës Lindore, Philadelphia 76-ers.
Mbrëmja e djeshme, që ishte edhe dita e fundit e ndeshjeve të sezonit të rregullt, ka nxjerrë edhe disa sfida të tjera interesante në play-off.
New York Knicks fituan me rezultat 104-84 ndaj Charlotte Bobcats për të siguruar pozitën shtatë dhe për të caktuar një sfidë ndaj të dytit në tabelën e Lindjes, Miami Heat. Këta të fundit ishin pa tre lojtarët kryesor, LeBron James, Dwyane Wade dhe Chris Bosh, dhe paguan çmimin duke shijuar disfatën më të keqe të sezonit, 104-70, ndaj Washington Wizards.
Në sfidat tjera të play-offit të Lindjes, Indiana Pacers do të përballet me Orlando Magic dhe Boston Celtics do të ketë përballë Atlanta Hawks.
Edhe Spurs e mbyllën sezonin me fitore 107-101 ndaj Golden Stat Warriors (Foto: AP)
Në Perëndim, i pari i rreshtuar, San Antonio Spurs, do të përballet në play off me të tetin, Utah Jazz, ndërsa i dyti në tabelë, Okhahoma City Thunder, do ta sfidojë kampionin në fuqi, Dallas Mavericks, që përfundoi i shtati në renditje.
Los Angeles Lakers në sfidën e parë të play-offit do të përballen me Denver Nuggets. Memphis Grizzlies ka siguruar pozitën e katërt dhe avantazhin e fushës vendore për të parën herë në seritë e play-offit, ku do të sfidojë Los Angeles Clippers.