Vetura e ambasadës së Maqedonisë, me targa të Serbisë

Vetura zyrtare e ambasadorit të Maqedonisë në Prishtinë, Stojan Karajanov, vazhdon të qarkullojë nëpër Kosovë me targa të Republikës së Serbisë. Kjo ka shkaktuar revoltë te gazetarët shqiptarë, që kanë përcjellë takimet zyrtare të zëvendëskryeministrit Musa Xhaferi në Prishtinë.

Edhe pse Kosova ka targat e saj zyrtare, vetura zyrtare e Ambasadës së Maqedonisë e tipit “Shkoda”, “shëtitet” sikur të jetë në Republikën e Serbisë, shkruan ditorja Koha nga Shkupi.
Në Ministrinë e Jashtme të Maqedonisë thanë se “Shkoda” nuk është veturë e ambasadorit Karajanov, ndërsa më pas zëdhënësi arsyetohet se “targat serbe ka shtatë vite që janë marrë”.
“Vetura për të cilën po flisni, është regjistruar atje para shtatë viteve dhe në atë kohë, autoritetet kosovare kanë dhënë targa të tilla”, thotë zëdhënësi Borce Stamov. “Deri para do kohësh, thuajse të gjitha veturat e përfaqësive diplomatike në Kosovë kanë pasur targa të tilla, sepse kanë pasur disa probleme teknike ata atje për të dhënë targat e tyre diplomatike. Kohëve të fundit ka filluar një trend te ambasadat e tjera në Kosovë - të ndërrimit të targave dhe brenda kohës. Edhe ambasada jonë do t’i ndryshoj dhe do t’i merr targat e reja”.