Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë prezantoi në sheshin Nënë Terezë në Prishtinë një performancë, me 1 mijë e 781 varëse të rrobave me nga një pikëpyetje, aq sa është edhe numri i të pagjeturve.
Liridon Zeka, pjesëtar i kësaj nisme, tha se këtë ide e kanë paraqitur në shenjë përkrahje dhe solidarizimi me familjarët, duke parë mungesën e institucioneve për zbardhjen e fatit të të pagjeturve.
“Duke parë mungesën e angazhimit të Institucioneve përkatëse për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur ne si aktivist kemi parë të arsyeshme që të organizojmë aktivitete më qëllim që të bëjmë presion në mënyrë që të jenë më efikas në punët e tyre”, tha ai, njofton RTK.
Ai tha se institucionet duhet të zbardhin të vërtetën dhe të vendoset drejtësia, sepse 1 781 nuk është numër, por njerëz që i mungojnë Kosovës që 13 vjet.
Zeka tha se performancat dhe nismat e tyre në përkrahje të familjarëve të të pagjeturve nuk kanë pasur ndikim të duhur te institucionet përkatëse, por sipas tij, është sensibilizuar opinioni se fati i të pagjeturve duhet të ndriçohet sa më shpejt.
Ndërkaq Prenk Gjetaj, drejtues i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur thotë se komisioni po vazhdon edhe më tutje takimet me institucionet ndërkombëtare dhe vendore për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur. Për këtë vit komisioni ka paraparë që të bëhen gërmime në 36 lokacione dhe të dihet rreth rastit të Rashkës.