Ushtarët austriakë, sot në Kosovë

Batalioni i forcave operative të Austrisë, sot është nisur për Kosovë. Majori Peter Bart ka thënë se sot ka udhëtuar komandanti i njësisë dhe disa ushtarë të cilët do t’i marrin pajisjet dhe do të bëjnë përgatitjet për ardhjen e ushtarëve tjerë.

Austria me kërkesë të KFOR-it deri më 1 maj do të dërgojë 150 ushtarë, të cilët para dhe pas mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë do të ndihmojnë në ruajtjen e paqes dhe sigurisë.
Në një deklaratë për APA, ministri austriak i Mbrojtjes, Norbert Darabos, tha se ushtarët nga përbërja e ORF-së do të qëndrojnë së paku katër javë në Kosovë.
Ushtarët nga ky njësitë kanë qenë edhe më herët në Kosovë.
Komanda e KFOR-it njoftoi dje 70 ushtarë të Batalionit të II-të të forcave operative gjermane, kanë arritur në Kosovë. Pjesa tjetër do të vendoset deri të hënën.
Gjenerali Erhard Drews do të vendosë se ku dhe si do të përdoren këto forca shtesë.