“Ngarkesat religjioze” lënë pa status diplomati Amir Ahmetin

Është i vetmi nga kandidatët për ambasador që s’do ta marrë dekretin e presidentes Atifete Jahjaga. Pengesë Amir Ahmetin janë bërë “ngarkesat religjioze”.

Burime të Kohës Ditore kanë thënë se në heshtje po i bëhet refuzimi Ahmetit, i propozuar nga ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj. Derisa për të është kështu, për kandidatin tjetër për ambasador, ish-ministrin Ahmet Shala, dekreti pritet të shpallet shumë shpejt. Por, ai nuk do të delegohet në vendin që priste.
“Ngarkesat e tij (Amir Ahmeti v.j.) religjioze, veçanërisht ato që janë shprehur publikisht vitin e shkuar për lëndën fetare dhe për bartjen e shamive, kanë rritur presionin e brendshëm që presidentja të mos e emërojë për ambasador. Në cilësinë e deputetit, Ahmeti përdorte kërcënimin për të realizuar agjenda religjioze”, ka thënë burimi i gazetës. “Për Ahmet Shalën është vendosur të emërohet ambasador në Japoni dhe shpallja do të bëhet shumë shpejt”.
Amir Ahmeti është deputet i Partisë së Drejtësisë, një subjekt i vogël politik që është pjesë e koalicionit qeveritar. Midis vendeve arabe që ishin përmendur për ta përfaqësuar ai vendin ishin: Katari, Emiratet e Bashkuara dhe së fundi Arabia Saudite.
Por, një ditë më parë është paraqitur në dëgjim para Komisionit parlamentar për punë të jashtme një kandidat tjetër për të shkuar në Arabinë Saudite. Është ai Rexhep Boja. Ky aktualisht është ambasador në detyrë në këtë vend.
Ahmeti është anëtar i Komisionit parlamentar ku dëgjohen kandidatët për ambasadorë dhe nga ky i propozohen presidentit të Republikës për emërim. Burime të gazetës kanë treguar se Ahmeti nuk ishte në mbledhjen e thirrur për dëgjimin e Bojës, ndonëse e kishte konfirmuar pjesëmarrjen.
Këtë njeri e do për ambasador Behgjet Pacolli, aleati kryesor i kryeministrit Hashim Thaçi në koalicionin qeveritar. Një burim në Qeveri i ka thënë gazetës se nuk është krejt e përfunduar çështja e tij.