Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili në krye të një delegacioni parlamentar po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Turqisë, u takua të premten me kryeministrin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan.
Kryetari Krasniqi në fillim të takimit i bëri një vështrim të gjerë zhvillimeve aktuale në Kosovë, sidomos të arriturave që ka bërë Kosova pas shpalljes së pavarësisë. Ai i bëri një vështrim edhe çështjes së veriut, ku sipas tij, grupe kriminale serbe me veprimet e tyre, reflektojnë negativisht në situatën në këtë pjesë të vendit.
Kryekuvendari Krasniqi foli edhe për hapat që po bën Kosova në aktivitetet ndërkombëtare, si fryt i të cilave është njohja e Kosovës nga ana e 90 shteteve nga bota.
Kryeministri turk, nga ana e tij, theksoi se Turqia do të vazhdojë të përkrahë Kosovën në të gjithë lëmenjtë.
Ai tha se është i nevojshëm një angazhim edhe më i madh i afaristëve nga Turqia për të investuar në Kosovë, si një parakusht thelbësor për zhvillimin e mëtejmë të Kosovës.
Turqia, theksoi kryeministri Erdogan, do të jetë lobuese e denjë në aspektin e ndikimit te shtetet e ndryshme të botës që ta njohin pavarësinë e Kosovës.