Haraç për Grandin

Vendimi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për ta shtyrë edhe për një muaj definimin e pronësisë së Hotelit Grand, e ka nervozuar biznesmenin Remzi Ejupi. Ai tha se kësaj pune po i vjen era haraç. Ejupi porositi zyrtarët e Agjencisë që mos t’u shkojë mendja se do ta marrin ndonjë cent. Në AKP thonë se nuk dinë gjë për këtë punë.

“Ne nuk paguajmë asnjë cent haraç për Grandin. Boll kemi paguar deri tash për këtë hotel”, shprehet i mllefosur pronari i kompanisë Eurokoha, Remzi Ejupi.
Atë e ka bërë shumë nervoz vendimi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit për shtyrje të afatit edhe për një muaj për Hotelin Grand në Prishtinë.
Ejupi dyshon se zyrtarë të AKP’së me qëllim po e zvarrisin këtë proces, që të përfitojnë para nga aksionarët e hotelit. “Kjo punë është shtyrë që pesë vjet dhe kështu e kanë shkatërruar ekonominë e vendit dhe procesin e privatizimit”, pohon ai, shkruan Express.
Ngjashëm ishte deklaruar për media kohë më parë edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Behgjet Pacolli lidhur me zvarritjet që po i bën AKP për hotelin në të cilin ka qenë aksionar para se të hynte në politikë. “Unë dhe familja ime nuk paguajmë haraç”, pati thënë Pacolli në një prononcim publik.