Nxitje ushtrisë me marrëveshjen SOFA

Kosova po sheh drejt një të ardhme më të qëndrueshme ushtarake, tani që është bashkuar me fqinjët në forcimin e bashkëpunimit me forcat ushtarake të SHBA-së, duke nënshkruar një Marrëveshje të Statusit të Forcave (SOFA).

Marrëveshja SOFA, e nënshkruar më 18 shkurt në Prishtinë, përcakton statusin ligjor të ushtrisë së SHBA-së në territorin e një vendi tjetër. Ajo përvijon të drejtat e përgjegjësitë mes SHBA-së e qeverive pritëse, lidhur me juridiksionin penal e civil, çështje të taksave e doganave, hyrjen e daljen e pronës personale dhe zgjidhjen e pretendimeve të dëmeve.
Shtetet e Bashkuara kanë marrëveshje SOFA me shumë vende anembanë botës.
Serbia, Mali i Zi, Bosnjë dhe Hercegovina, Kroacia e Shqipëria kanë nënshkruar të gjitha marrëveshje SOFA me SHBA.
Eksperti kosovar i mbrojtjes, Naim Maloku - ish-oficer e tani këshilltar i jashtëm për ministrinë e mjedisit e planifikimit hapësinor - thotë se marrëveshja është shumë e rëndësishme.
"Rezultati i parë i kësaj marrëveshjeje është se Kosova caktoi atasheun e parë ushtarak të saj jashtë shtetit - Xhevat Gashin, si atashe ushtarak në Shtetet e Bashkuara", tha Maloku për SETimes, duke shtuar se marrëveshja do të ndihmojë gjithashtu përpjekjen e Kosovës për në NATO.
Drejtori i Qendrës për Studime të Sigurisë, Ramadan Qehaja, thotë se marrëveshja mbështetet në Ligjin mbi SOFA-n të miratuar nga parlamenti vitin e kaluar.
"Rëndësia e kësaj marrëveshje është] akti se bashkëpunimi mes Kosovës e Shteteve të Bashkuara është ligjëruar", tha Qehaja.
Anëtari i parlamentit i opozitës, Burim Ramadani, vë në dukje se "Dallimi kryesor mes marrëveshjes me Kosovën e marrëveshjeve të ngjashme të nënshkruara me vende të tjera është se Shtetet e Bashkuara do të kenë një rol të rëndësishëm në krijimin e forcave të armatosura të Kosovës".
Blerim Limani, zëdhënës për Ministrinë e Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK) tha për SETimes se marrëveshja "ofron ndihmë për të gjitha shtyllat e misionit të FSK-së - zjarrfikësit, kërkimin e shpëtimin, heqjen e materialeve të rrezikshme dhe heqjen e pajisjeve shpërthyese".
Kosova ka nisur gjithashtu bashkëpunim me vende të tjera rajonale që kanë nënshkruar marrëveshjen SOFA.
Ministri maqedonas i Mbrojtjes Fatmir Besimi u takua në Prishtinë të martën (21 shkurt) me zyrtarë të lartë të FSK-së, përfshirë Ministrin Agim Çeku. Besimi e Çeku diskutuan mbi bashkëpunimin mes të dy ministrive në fushat e sigurisë, mbrojtjes, shëndetësisë, trajnimit ushtarak dhe kontributin e përbashkët për të ruajtur paqen në rajon.
Mentor Beqa, një këshilltar politik në Ministrinë e Mbrojtjes së Shqipërisë, tha se marrëveshja SOFA siguron të drejtat e privilegjet e trupave në një vend pritës dhe gjithashtu lehtëson lëvizjen e trupave, mjeteve ushtarake e armëve.
Shqipëria ka përfituar nga një marrëveshje e tillë, e cila gjithashtu lehtësoi anëtarësimin e saj në NATO.